Instituti GAP publikoi raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”. Gjetjet e raportit u prezantuan në kuadër të diskutimit të Forumit të Platformës për Dialog Publiko-Privat të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) mbi zhvillimin e fuqisë punëtore.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se tregu i punës në Kosovë do të vazhdoj të sfidohet nga mungesa e fuqisë punëtore👷👷♀️, kryesisht për shkak të emigrimit të qytetarëve dhe shkallës së lartë të fuqisë punëtore jo-aktive.
Deri në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, numri i personave që janë larguar nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të botës ka arritur në 359 mijë persona, ndërkaq numri i shtetasve shtetasit kosovarë të kthyer si dhe të huajt që jetojnë në Kosovë është rreth 99 mijë persona. Bilancit i emigrimit mbetet shumë më i lartë se i imigrimit dhe punëtorët e huaj që punësohen në Kosovë nuk e mbulojnë mungesën e krijuar në tregun e punës.
Zgjidhja më e qëndrueshme për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë është rritja e përfshirjes në treg e personave që i takojnë moshës së punës por që aktualisht nuk janë aktivë në treg (të cilët nuk janë duke punuar dhe nuk janë duke kërkuar punë).
Kosova ka shkallën më të lartë📈 të jo-aktivitetit në Ballkanin Perëndimor: nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 461 mijë persona (43%) janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 613 mijë persona (57%) janë jo-aktivë. Nga personat jo-aktivë, 66% janë gra dhe 34% janë burra, që nënkupton se veçmas pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës mbetet sfidë serioze.
GAP rekomonadon që disa nga masat që duhen ndërmarrë për aktivizimin e fuqisë punëtore jo-aktive përfshijnë:
📚 Trajnime të përshtatura me kërkesat reale të tregut të punës;
👩👧 Politika që ndihmojnë gratë të hyjnë në tregun e punës;
🧑🏫 Riorientim profesional për të rinjtë që nuk janë të angazhuar në arsim, punë apo trajnim (NEET);
🤝 Bashkëpunim i ngushtë mes arsimit dhe sektorit privat për përgatitje më të mirë profesionale;
💼 Stimuj për punëdhënësit që punësojnë persona që kanë qenë jashtë tregut të punës për një kohë të gjatë
💡Mbështetje për teknologjitë inovative; dhe
🌱 Mbështetje për avancimin e shkathtësive në fushën e energjisë së pastër./instituti GAP
359 mijë persona janë larguar nga Kosova deri në vitin 2023
