Dje në ndërtesat e komunës për disa orë kanë qenë edhe kryetarët e sapoemëruar.
Në vendkalimin kufitar në Jarinje nuk ka postblloqe, nga mëngjesi i sotëm nuk ka turmë apo vonesa, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve dhe mallrave po zhvillohet pa probleme.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi se situata është e qetë.
Policia në një njoftim të lëshuar mbrëmë ka njoftuar se mjetet transportuese që ishin vendosur nëpër rrugë janë larguar dhe se rrugët janë të lira për qarkullim.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre. Ata arritën të futen në zyret e tyre, me asistimin e Policisë.
Tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.
Sot do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku do të marrë pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq./sinjali