Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se është fuqimisht në favor të përshpejtimit të procesit të hyrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Por kushdo që shpreson për anëtarësim në BE, sipas Scholzit, duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk është vendim gjeopolitik, por një proces që lidhet me hapa të veçantë reformash.
“Kujtojmë, më shumë se 20 vjet më parë në Selanik, shteteve të Ballkanit Perëndimor iu ofrua anëtarësimi në BE dhe ne nuk shkuam shumë larg. Prandaj është e rëndësishme që tani është krijuar një moment i ri dhe të arrijmë përparim në çështjet e shumta që dalin”, ka thënë Scholz në një konferencë për shtyp me kryeministrin slloven Robert Golob në Lubjanë.
Scholzi iu ka referuar zgjidhjes së konflikteve dypalëshe, të cilat paraqesin pengesë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Kjo vlen, për shembull, për çështjen se si të gjallërohet procesi me Maqedoninë e Veriut dhe të mos pengohet nga mosmarrëveshjet e shteteve anëtare. Kjo vlen për çështjen Serbi-Kosovë, natyrisht edhe vlen për çështjen se si të veprohet me Bosnjë dhe Hercegovinën”, ka shtuar Scholz.
Kancelari gjerman ka vlerësuar gjithashtu se procesi i Berlinit, i cili u krijua nga paraardhësja e tij Angela Merkel, është konfirmuar si instrument për forcimin e bashkëpunimit konkret në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se ky bashkëpunim do të intensifikohet për të arritur progres në çështjet që janë të përvijuara.