Viktima është Brahim Ramusa, ndërsa i dyshuari është një person rreth të 50’ave, me inicialet B.R.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 19:42,nderkaq Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në fshatin Balaj ka ndodhur një rast i vrasjes me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme të Stacionit Policor në Ferizaj
Hetuesit kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe të trupit të viktimës, ndërsa janë intervistuar edhe dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar gjithashtu:
Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
Një pushkë ajrore.
Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, që kulmoi në ditën kritike me një debat verbal, ku i dyshuari nxori armën dhe qëlloi katër herë në drejtim të viktimës, duke e lënë atë të vdekur.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka njoftuar Policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij, ku më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, për procedura të mëtejme hetimore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës B.R i lindur më 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ka ndërmarrë veprime hetimore në vendngjarje për të ndriçuar rrethanat e rastit.Prokuroria bën të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, ndërsa hetimet për motivin e ngjarjes po vazhdojnë.