Organizatat e shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër publike presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas situatës së krijuar me mosvotimin e Qeverisë së Kosovës në seancën e së dielës në Kuvend.
Këto organizata theksojnë tutje se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, ndërsa kanë dhënë disa propozime konkrete për tejkalimin e situatës në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore.
Lexoni të plotë letrën:
Në mungesë të një marrëveshjeje politike për formimin e Qeverisë së re, dhe pas deklarimeve publike të udhëheqësve të partive më të mëdha parlamentare se nuk kanë interesim apo mundësi për ta krijuar Qeverinë edhe nëse një mundësi e tillë j’u ofrohet, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në këto rrethana të ndjeshme për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit, duke u mbështetur në gatishmërinë tuaj të mëhershme për të konsultuar shoqërinë civile dhe në ftesën tuaj që të ndajmë me ju shqetësimet dhe propozimet tona sa herë që i konsiderojmë të rëndësishme për vendin, ne, si organizata të shoqërisë civile dhe profesionistë të angazhuar në fushën e qeverisjes, financave publike, dhe demokracisë ndjejmë detyrimin qytetar e profesional që t’ju drejtohemi me shqetësimet tona mbi situatën aktuale dhe me disa propozime konkrete për tejkalimin e saj në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore.
Jemi të vetëdijshëm se ka shumë çështje që kërkojnë vëmendje urgjente nga Kuvendi i Kosovës në këtë periudhë të ndjeshme politike. Megjithatë, vlerësojmë se dy ndër to janë veçanërisht të domosdoshme dhe për të cilat mund të arrihet pajtim i gjerë ndërmjet të gjitha forcave politike. Miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm dhe miratimi i Marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes para shpërbërjes së Kuvendit.