Incidentet që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, ku janë djegur tetë vetura, shumica të riregjistruara me tabela RKS (Republika e Kosovës), janë sinjale se në atë pjesë të vendit ekzistojnë tendencat për tensionimin dhe përshkallëzimin e situatës, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Verolub Petroniq.
Një përshkallëzim eventual i situatës në veri të Kosovës, sipas tyre, do të ishte përpjekje për të penguar zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan më 18 mars në Ohër.
Policia e Kosovës, më 1 prill, ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit M.B, nën dyshimet se ka kryer pesë vepra penale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 3 prill, ka thënë se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim “frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie”.
Më 2 prill, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ‘dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit’.
Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a i sheh këto incidente si sinjal për tendosjes e situatës në veri dhe a e sheh një përshkallëzim eventual si pengesë për zbatimin e Marrëveshjes bazë..
Të gjitha këto zhvillime, kanë ndodhur në prag të takimit ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i cili zhvillohet më 4 prill në Bruksel.
Ky është takimi i parë i palëve pas takimit të Ohrit, më 18 mars.
Incidentet në veri, sinjale nga grupet kriminale
Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson se incidentet në veri të Kosovës, janë hapa provokues që strukturat e caktuara, të cilat sundojnë në veri, i ndërmarrin me shpresën për të nxitur reagimin e institucioneve të Kosovës. Në funksion të kësaj, sipas tij, ishte edhe deklarata e Daçiqit.
“Mendoj që është shenjë treguese, prej momentit kur kryeministri (i Kosovës, Albin) Kurti deklaroi publikisht se Kosova do ta zbatojë (formojë) Asociacionin, kemi parë një varg të deklaratave ndërkombëtare që, në njëfarë forme, topin për hapat e radhës e hedhin te Beogradi. Pra, është e qartë që adresa e provokimeve është ajo e strukturave të krimit të organizuar në veri, të cilat po mundohen ta japin një lloj shenje, njëfarë kërcënimi, por edhe ta bëjnë një lloj provokimi, në mënyrë që Kosova të ndërhyjë dhe më pas të fajësohet për tensionimin e situatës”, thotë Maliqi./telegrafi






