Paraqitja e Kosovës si pjesë e Serbisë në hartën e vendosur në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, e cila po mbahet në Tiranë, ka shkaktuar reagime të shumta.
Videoja e Konventës ku është paraqitur kjo hartë, ishte shpërndarë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në llogarinë e tij në Facebook.
Pasi ky lëshim mori vëmendje dhe shkaktoi reagime të shumta, ka reaguar edhe kryeministri Rama, duke thënë se harta ku mungonte Kosova është vendosur gjatë prezantimit të presidentit të gjigantit spanjoll Melia Group në Konventën e turizmit.
Rama, përmes një postimi në Twitter, e ka arsyetuar këtë lëshim.
“Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja! E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh!”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.






