Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur për pro-amerikanizmin sipas pikëpamjes së tij, një temë që shpeshherë ka shkaktuar përplasje mes partive politike.
Abdixhiku ka thënë se pro-amerikanizmi nuk është koncept pas të cilit duhet të fshihen keqpërdoruesit.
“Nuk e kam kuptu pro-amerikanizmin, si koncept, pas të cilit janë fshehur të gjithë horrat që i ka pasur skena politike ndonjëherë, prej të gjitha anëve”, ka thënë Abdixhiku.
“Vjedh një tender atje thuj jam pro–amerikan, shite një distribucion thuaj jam pro-amerikan, fale një aset thuaj jam pro-amerikan. Nuk jam për këtë pro-amerikanizëm”, ka shtuar ai.
Abdixhiku ka shpjeguar se çfarë nënkupton ai me pro-amerikanizmin.
“Unë po flas për diçka tjetër. Unë po flas për importimin e vlerave amerikane në vend, që është vlera demokratike, të zhvillimit, që është ëndërr amerikane. Dhe po flas për sigurinë, që është bashkëpunimi me SHBA-në”, ka shtuar ai në T7.