I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, që mbahet më 02 maj në Bruksel, do të prezantohet një draft-statut i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Por gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë duket se janë minimale. Palët kanë kundërshtime dhe qëndrimeve diametralisht të kundërta.
Megjithatë takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit me praninë e emisarit të BE, Miroslav Lajçak cilësohet i rëndësishëm.
“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, është shprehur Lajçak.
Nga ky takim pritet të nënshkruhet edhe deklarata e përbashkët e dakorduar në takimin e parafundit për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti: Nuk njihet aq puna e ekipit menaxhues
Nga Kosova paraqiten rezerva në lidhje me punën e ekipit menaxhues. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, dhe përmbajtja e statutit nuk janë siç thotë ai, “edhe aq të njohura”.
Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues. “Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti.
Vuçiq: Do të prezantohet statuti
Ndryshe është qëndrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit. Ai ka thënë se Ekipi Menaxhues më 2 maj, do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se “nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”.
Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca ekzekutive, ndërsa Kosova nuk i pranon ato./telegrafi






