Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e 24-vjetorit të masakrës në Bukosh të Suharekës, ku u pushkatuan 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe se Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
Sipas tij, Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.
“Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë. I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi””, shkroi Kurti.