Modeli kroat sa shkon e diskutohet më shumë, kur është fjala për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në pak sekonda mund të mësoni se çfarë parasheh ky model, pse është zgjedhur dhe si po e komenton BE-ja.
E gjithë kjo ide, nisi më 9 maj kur kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, me të cilin ka biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e ka njoftuar diplomatin kroat se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe.
“Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Por çfarë për përmban “Asociacioni kroat”?
Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), përmbledh komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, është modeli të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë si propozim në Bruksel për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Kurti pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç e ndërmjetësit, Josep Borrell e Miroslav Lajçak tha se ka dhënë këtë variant si “draft-vizioni”.
Ky model kroat, i cili është krijuar pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore në Kroaci, është futur në Marrëveshjen e Erdutit me dokumentin me anë të të cilit është konfirmuar ri-integrimi paqësor i rajoneve që kontrolloheshin nga serbët nën autoritetin e Zagrebit, raporton REL.
Organi është gardian i interesave të komunitetit serb në dy qarqe kroate: Osijek-Baranja dhe Vukovar-Srem, ndërsa përbëhet nga përfaqësues të nëntë komunave.
Ai është mekanizëm politik, këshillues dhe koordinues, i zgjedhur në mënyrë demokratike që ka kompetenca “vetëmenaxhuese” sa i përket çështjeve të të drejtave civile dhe kombëtare të serbëve, si dhe çështjeve të identitetit, kulturës, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate.
Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe mund të jetë shoqatë qytetarësh të cilën, sipas ligjit kroat, mund ta formojë kushdo nga tre persona – ajo formohet në bazë të dokumenteve ndërkombëtare çfarë ka qenë Marrëveshja e Erdutit dhe vendimit të Qeverisë së Kroacisë. Pra, ajo nuk përbën një njësi territoriale./SINJALI






