Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në konferencën e përbashkët shkencore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me temën “Harmonizimi i legjislacionit mes Kosovës dhe Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”.
“Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete aspirante për integrim në Bashkimin Evropian, por para së gjithash si dy shtete që përfaqësojnë ëndrrën e të njëjtit komb, duhet të jenë në krah të njëra-tjetrës në procesin e gjatë e të vështirë të integrimit në BE”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se në këtë proces Shqipëria si shtet me përvojë të avancuar në sferën e integrimit evropian, mund ta ndihmojë shtetin e Kosovës në kapërcimin e pengesave, të cilat ajo i ka tejkaluar.
Gjithashtu kryetari Konjufca tha se mënyra më e mirë e kompensimit të kohës së të qenit të ndarë padrejtësisht, është kjo, nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e legjislacionit, krijimit të trupave të përhershëm dhe shkëmbimit të përvojave reciproke. Kreu i Kuvendit tha se kjo mundëson largimin e dallimeve sociale, të cilat janë prodhuar si rezultat i ndarjes juridike e politike të kombit tonë.
“Është në dorën tonë, si shtete dhe si parlamente, që ta kompensojmë kohën e gjatë e të qenit të ndarë padrejtësisht, që tani përmes legjislacionit të sheshojmë dallimet sociale që kanë prodhuar rendet e ndara politike e juridike mbi kombin tonë, veçanërisht në Kosovë dhe trojet e tjera jashtë Shqipërisë. Në modernitet identiteti kombëtar dhe kultura kombëtare kultivohen çdo ditë me mekanizma shtetërorë, me synimin për ta mirëmbajtur homogjenitetin dhe kohezionin social e identitar, të domosdoshëm për ekzistencën dhe prosperitetin e kombit tonë”, përfundoi kryetari Konjufca.