Numri i madh i qytetarëve që kanë emigruar gjatë këtyre viteve dhe numri i ulët i lindjeve kanë bërë që Kosova të hyjë në një krizë demografike.
Nëse vazhdohet me trendin e njëjtë, situata do të jetë edhe më shqetësuese gjatë viteve në vazhdim, ku sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova së bashku me Shqipërinë do të jenë vendet me popullsinë më të vjetër në Ballkan në vitin 2100.
E demografi Sami Behrami në një intervistë për Telegrafin, ka folur për trendët demografike në vend dhe krizën në këtë drejtim.
Ai shprehu shqetësimin e tij për lëvizjet që janë duke u bërë, duke thënë se vendi është një një krizë demografike.
“Trendët demografike në Kosovë në 10 vjeçarin e fundit janë shqetësuese. Kosova në njërën anë po përballet me trend shumë të ulët të lindshmërisë dhe me fluks të madh të emigranteve. Në shkencën e demografisë kur një vend ka lëvizje të tilla demografike, karakterizohet si vend në krizë demografike. Prandaj, lirshëm mund të themi se Kosova është futur në krizë demografike e cila kërkon rrugë zgjidhje”, është shprehur ai.