Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për siç thonë përkeqësimin e ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë, gjersa theksuan se kjo është e papranueshme dhe e papërgjegjshme
Në reagimin e KMDLNj-së u bëhet thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore, që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike.
Lexoni të plotë reagimin:
A PO JUSTIFIKOHET RRITJA E PAGESËS NË KOPSHTET PUBLIKE PËRMES PËRKEQËSIMIT TË USHQIMIT TË FËMIJËVE?!
Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës ka disa javë që ushqimi për fëmijë ka filluar të pakësohet në sasi e që ndikon direkt në gjendjen e tyre emocionale dhe shëndetësore. Ushqimi në të gjitha kopshtet publike në komunën e Prishtinës përgatitet nga Kuzhina Qendrore dhe çdo mëngjes bëhet shpërndarja në të gjitha këto institucione.
Kohë më parë është pasuruar menyja ditore e javore duke shtuar perime dhe smoothie për të vegjlit, por edhe nga një mes-shujtë pas zgjimit nga gjumi.
Në kopshtet publike orari fillon prej 6:30 deri në 17:00. Gjatë këtij orari fëmijëve u ofrohen dy shujta ushqimi dhe një “zamër” që përfshinë pemë sezonale ose jogurt apo tambëloriz (e që kohëve të fundit edhe këtë po e sjellin rrallë). Mëngjesi starton prej 8:30 deri 8:45, dreka 11:30, koha e gjumit është ora 12:00 deri në zgjimin e fëmijëve në orën 14:00.
Pas zgjimit fëmijët ushqehen vetëm me “zamër” e që kryesisht është pemë sezonale e cila është e pamjaftueshme për një ushqyerje të mirë të këtyre fëmijëve. Kohë më parë komuna e Prishtinës për këta fëmijë ua kishte shtuar në meny edhe nga një kifle e që ka disa javë që këto janë zhvendosur në shujtë të mëngjesit.