Duke iu drejtuar anëtarëve të partisë së tij në parlament, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan komentoi konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Izraeli së bashku me Perëndimin mund ta shohin Hamasin si një organizatë terroriste. Perëndimi ju ka shumë borxhe. Por Turqia nuk ju detyrohet asgjë”, u tha Erdogan izraelitëve, transmeton Telegrafi.
“Hamasi nuk është një organizatë terroriste, është një grup muxhahidinësh që mbrojnë vendet e tyre”, tha ai derisa duartrokitej.
Lideri turk ka konfirmuar se po anulon planet për të vizituar Izraelin për shkak të luftës “çnjerëzore”, raporton The Times of Israel.
“Kishim një projekt për të shkuar në Izrael, por u anulua, ne nuk do të shkojmë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, duke folur në Katar, akuzoi Izraelin për “krime kundër njerëzimit” gjatë operacioneve ushtarake në Gaza.
“Të vësh në shënjestër vëllezërit tanë palestinezë, duke përfshirë fëmijët, pacientët dhe të moshuarit, madje edhe në shkolla, spitale dhe xhami, është një krim kundër njerëzimit”, theksoi ai së bashku me ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani. /Telegrafi/