Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Avni Spahiu, thotë se qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Bashkim Evropian janë optimiste se brenda vitit të ardhshëm do të ketë një marrëveshje finale, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, ai thekson se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë zgjidhje gjysmake që nuk garanton normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke.
Diplomati kosovar thotë për KosovaPress se në situatën aktuale gjeopolitike, bashkësia ndërkombëtare po kërkon rezultat konkret në dialog. Megjithatë, shton se në rend të parë të diskutimit është edhe përcaktimi i Serbisë në krah të Rusisë.
“Në këtë situatë bashkësia ndërkombëtare kërkon të ketë një rezultat, duke u përcaktuar si duket në mundësinë e kalimit të një marrëveshje që do të obligonte të dy palët dhe do të sillte deri te normalizimi dhe njohja e ndërsjellë. Në këtë moment kjo është larg të shihet, por qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Evropë mendojnë se kjo mund të arrihet vitin e ardhshëm… Në rend të parë të diskutimit për rajonin është përcaktimi i Serbisë, krahas Rusisë. Kjo është shqetësimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është në çdo proces në rajon, sidomos në procesin e dialogut. Serbia në këtë situatë jo vetëm që s’ka vullnet për të bërë një kthesë drejt një pajtimi rajonal, por po synon të destabilizojë paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan, sidomos në raport me Kosovën dhe subjektivitetit të saj”, thotë ai.
Spahiu i vlerëson si “balona provuese” të gjitha draftet që po diskutohen rreth marrëveshjes finale dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Draftet që janë paraqitur së fundmi janë gjithashtu ‘balona provuese’ që vijnë nga burime që nuk janë të qarta. Kemi pasur edhe të kaluarën ‘non-papers’, apo letra jo zyrtare. Tani është një valë e re, gjermanët dhe francezët përgënjeshtruan se ata kanë përgatitur një draft të tillë. Mbetet e dyshimtë ky drafti i fundit. Por Qeveria e Kosovës duhet të tregojë në këtë situatë konstruktivitetin e vet se është për dialog, por jo me çdo kusht të pranojë zgjidhje gjysmake, apo ndonjë epilog që nuk do të garantonte normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve. Pala kosovare duhet të jetë në konsultë të vazhdueshme me partnerët tanë, ShBA dhe vendet partnere në BE, lidhur me atë se si të procedohet tutje. Është e qartë, siç jemi ankuar vazhdimisht se Serbia nuk tregon konstruktivet dhe fleksibilitet sa i përket dialogut. Të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar për çështje konkrete nuk janë zbatuar”, shton ai.