Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të re plenare duke filluar prej orës 10:00, në të cilën pritet të mbahet një interpelancë, të shqyrtohen disa projektligje e rekomandime.
Interpelanca është me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”.
Kjo pas mosekzekutimit të pagave për muajin shtator për sindikalistët e arsimit të cilët ishin në grevë si dhe akuzave në drejtim të komunave se nuk ka bashkëpunuar për listat e pagave.
Një tjetër pikë që pritet të ngjallë interes është edhe ajo e shqyrtimi të parë të Projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.