Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, ka deklaruar se Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj propozimit për një armëpushim 30-ditor, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbetet vigjilente ndaj veprimeve të Rusisë.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Sybiha ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të presidentit rus Vladimir Putin, të cilat i ka cilësuar si të pabesueshme në mungesë të veprimeve konkrete.
“Putini tashmë ka bërë deklarata për gatishmërinë e supozuar për një armëpushim. 30 orë në vend të 30 ditëve. Fatkeqësisht, kemi histori të gjatë të deklaratave të tij që s’përkojnë me veprimet. E dimë se fjalëve të tij s’mund t’u besohet dhe ne po presim veprime e jo fjalë”, ka shkruar ai.
Shefi i diplomacisë ukrainase theksoi se që nga muaji mars Rusia e ka në tavolinë një propozim për armëpushim të plotë dhe pa kushte, për një periudhë njëmujore.
“Duam që forcat ruse të ndalin armët në të gjitha drejtimet. Po ashtu u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë dhe komunitetit ndërkombëtar të jenë vigjilentë. Vetëm veprat e jo fjalët e tregojnë të vërtetën: Kjo luftë u nis dhe vazhdon vetëm për shkak të Rusisë”, ka shtuar ai.