Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, këtë vit ka kritika për punën e Kuvendit duke theksuar vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. Po ashtu ka përmendur edhe procesin e zgjedhjeve komunale që u mbajtën në tetor të vitit 2021, duke e konsideruar të ulët pjesëmarrjen e grave në jetën politike.
Raporti përmend marrëveshjen për energjinë e atë për letërnjoftimet. Është kërkuar konstruktivitet më i madh nga Kosova.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”.
“Shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për të avancuar më tej agjendën e reformave të BE-së dhe për të krijuar konsensus rreth reformave të mëdha. Gjuhë nxitëse kundër kundërshtarëve politikë vazhdoi të përdoret në debate”.
Raporti ka vënë në pah edhe mungesat e shpeshta të anëtarëve në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Mungesat e shpeshta të anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit në mbledhje, mospjesëmarrja e Lista Srpska dhe më vonë dorëheqja e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me zgjedhjen e tij si kryetar i Mitrovicës, shpeshherë ia pamundësoi Kryesisë së Kuvendit arritjen e kuorumit për mbajtjen e mbledhjeve”.
Një tjetër “kritikë” e raportit të progresit ka të bëjë me mënyrën e votimit më dorë, që sipas këtij raporti ky lloj votomi në shumë raste çoi në rezultate të pasakta të votimit.
Po ashtu thuhet se, sipas sistemit të votimit me ngritje duarsh Kuvendi nuk i publikon të dhënat e votimit të deputetëve, gjë që cenon transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut.