Komuna e Prishtinës ka njoftuar zyrtarisht se duke filluar nga 1 tetori 2025, hyn në fuqi vendimi për lirim nga pagesa e transportit urban për një numër të madh të qytetarëve që janë pjesë e sistemit arsimor dhe shendetsor në kryeqytet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka miratuar një vendim të rëndësishëm që hyn në fuqi nga 1 tetori 2025, i cili synon të lehtësojë barrën financiare për punonjësit në sektorin publik dhe nxënësit e shkollave të mesme.
Sipas vendimit të nënshkruar më 24 shtator 2025, nga kjo datë lirohen nga pagesa për përdorimin e transportit urban këto kategori:
- Stafi shëndetësor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit;
- Stafi mësimor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve arsimore të Kryeqytetit, përfshirë:
- Institucionet parashkollore,
- Arsimin fillor dhe të mesëm të ulët,
- Arsimin e mesëm të lartë;
- Institucionet vartëse të Komunës së Prishtinës në të gjitha nivelet;
- Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të Kryeqytetit;
- Të gjithë studentët e Komunës së Prishtinës.
Vendimi do të zbatohet nga ndërmarrja publike “Trafiku Urban” Sh.A., e cila do të jetë përgjegjëse për realizimin e kësaj mase lehtësuese.
Ky vendim është pjesë e përpjekjeve të Komunës për të përkrahur komunitetin arsimor dhe shëndetësor, dhe për të nxitur përdorimin e transportit publik, duke kontribuar njëkohësisht në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe të ngarkesës në trafik.
Komuna fton të gjitha kategoritë përfituese që të përgatiten për këtë ndryshim dhe të informohen për procedurat teknike të identifikimit për shfrytëzimin e këtij shërbimi falas.