Shirat e rrëmbyeshëm nga stuhia “Gabrielle” të hënën shkaktuan përmbytje në rajonet e Valencias, Katalonjës dhe Aragonës në Spanjë, transmeton Anadolu.
Në vend ra shi rreth 100 litra për metër katror brenda pak orësh. Policia tha se iu desh të shpëtonte disa njerëz nga automjetet e tyre. Një nga zonat më të goditura ishte vendbanimi Aldaia në Valencia, ku përroi La Saleta doli nga shtrati, duke dërguar ujin që rridhte në rrugët qendrore.
Një lum tjetër doli gjithashtu nga shtrati në Cuarte de Huerva në provincën e Zaragozës të dielën vonë.
“Është pak më qetë tani, por fillimi ishte kaotik. Po përpiqemi të vlerësojmë dëmet”, tha kryetarja e bashkisë, Elena Lacalle për transmetuesin publik RTVE. Agjencia e motit e Spanjës lëshoi alarm të kuq për bregdetin e Valencias deri në mesnatë, dhe për Tarragonën jugore dhe Castellon veriore deri në mesditë.
Mësimet dhe aktivitetet jo-thelbësore u pezulluan në më shumë se 60 komuna në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke prekur rreth 25 mijë fëmijë dhe familjet e tyre. Transporti u ndërpre në rajon. Linjat e trenave raportuan vonesa, “Metrovalencia” uli orarin e saj dhe disa autostrada u bllokuan nga uji. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të shmangin udhëtimet kur është e mundur.
Spanja është përballur me ngjarje gjithnjë e më ekstreme të motit në vitet e fundit, të cilat shkencëtarët i lidhin me ndryshimet klimatike. Tetorin e kaluar, shirat e rrëmbyeshëm në të njëjtin rajon shkaktuan një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse dhe më të kushtueshme në historinë e Spanjës, me rreth 232 persona të vrarë.