Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për krijimin e qeverisë së re gjatë konferencës që mbajti këtë të hënë.
Kurti bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të fillojnë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore teksa theksoi se Kosovës i duhet një mandat i qeverisë në krye me partinë që drejton.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit është 26 tetori, këto dite jemi të përqendruar në analizën e rezultateve lokale. Shumë shpejt në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore”.
“Kosovë i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë, i duhet një mandat i ri i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurti sivjet, por gjithashtu edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyr në muajin e shtatë të vitit të 5-të të mandatit të plotë katër vjeçar dhe duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim do të fillojë porsa ne ta nxjerrim në seancë kuvendi përbërjen e re të Qeverisë Kurti 3”, tha Kurti.
Mes tjerash, Kurti tha se kur bisedimet rezultojnë të suksesshme do të thirret seanca për votimin e qeverisë.
“Në momentin që ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme ne pa vonesa nuk e presim 26 tetorin, por 26 tetori është afati i fundit”, tha Kurti.