Të dielën, më 26 tetor Qeveria Kurti nuk mori votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës. Pas dështimit për formimin e Qeverisë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka ftuar partitë politike parlamentare në një takim të premten, në ora 12:00.
Lajmin për takimin e së premtes e ka konfirmuar për Telegrafin këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se takimi është ftuar nga presidentja Osmani dhe do të zhvillohet me përfaqësuesit e partive politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
E pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku konfirmoi për Telegrafin se kryetari Memli Krasniqi do të jetë i pranishëm në takim.
“Po e kemi marrë ftesën dhe kryetari Memli Krasniqi do të merr pjesë”, tha Çitaku.
Edhe zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa konfirmoi pjesëmarrjen e LDK-së në takim.






