Nëse “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” miratohet nga Kongresi dhe Senati amerikan dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, Shtetet e Bashkuara do të angazhohen ligjërisht që politika e tyre e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republika Sërpskas.
Ky parashikim është pjesë e Seksionit 11 të projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet shpejt. Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.
Për herë të parë, projektligji përfshin edhe paragrafin mbi “mosndryshimin e kufijve”.
“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligj.
Aktualisht, ky projektligj më 9 tetor të këtij viti i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit. Afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende, dhe komitetet mund të kërkojnë dëshmi, ndryshime, apo amendamente para se ligji të kthehet në Dhomën përkatëse për votim. Ligji duhet të kalojë komitetin, dhe komiteti mund të bëjë ndryshime ose të mos e miratojë fare. Nëse kalon komitetin, ai shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senat, në varësi se ku filloi procedura. Vetëm pas miratimit nga të dyja dhomat dhe nënshkrimit nga presidenti, bëhet ligj.
Një tjetër pjesë e projektligjit fokusohet te ndikimi rus dhe kinez në rajon, duke kërkuar një raport brenda 180 ditëve nga sekretari i Shtetit dhe drejtuesit e agjencive amerikane për ndikimet keqdashëse në Ballkan. Raporti do të përfshijë analizën e qëllimeve të Rusisë dhe Kinës, aktivitetet e SHBA-së për t’i kundërshtuar, si dhe listën e të gjithë aktorëve që ndërhyjnë në proceset demokratike ose kufizojnë lirinë e shprehjes.
Ligji gjithashtu fokusohet tek ekonomia dhe demokracia, duke përfshirë: rritjen e tregtisë dhe investimeve, integrimin rajonal, mbështetjen për sipërmarrjet e grave dhe të rinjve, përmirësimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e energjisë dhe tranzicionin drejt energjive të gjelbra.
Sipas draftit të ligjit, veçanërisht theksohet se korrupsioni, varfëria, emigrimi i të rinjve, fushatat e lajmeve të rreme dhe varësia nga energjia ruse janë sfidat kryesore të rajonit. Ligji pritet të forcojë angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe të sigurojë një qasje të qartë kundër ndryshimeve të kufijve me dhunë ose bazuar mbi etni.
Diskutimet për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar më intensivisht rreth vitit 2018, pas disa vitesh bllokimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ideja parashikonte ndryshimin e kufijve, kryesisht për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe zonat shqiptare në pjesë të tjera të Serbisë. Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, si një nga përkrahësit e kësaj ideje bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pati thënë se ideja nuk është ndarje, por korrigjim i kufijve. Por kjo ide qe kundërshtuar ashpër nga spektri politik në Kosovë, por edhe nga disa prej aleatëve të Kosovës.
Një prej arsyeve kryesore të kundërshtimit ka qenë frika se kjo do të nxiste edhe largimin e Republika Sërpskas nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa do të tensiononte raportet edhe në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni e Mal të Zi.






