Shaqir Lutvija është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Aktgjykimi ndaj Lutvijës u shpall të martën nga trupi gjykues.
Ai u shpall fajtor për krime lufte, duke vepruar në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998–1999. Lutvija kishte ushtruar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë.
Lutvijës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 tetori 2023 deri në momentin e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për krime lufte, Shaqir Lutvijës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shtator 2024, Lutvija, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998–1999 kishte ushtruar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thekson përkushtimin e saj në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, me qëllim të garantimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.






