Sot në territorin e vendit janë regjistruar rreshje të dendura shiu, të cilat kanë filluar që nga orët e para të mëngjesit dhe kanë vazhduar me intensitet të ndryshueshëm gjatë gjithë ditës. Sipas sinoptikëve, mot i ngjashëm pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke rritur mundësinë për paraqitje të vërshimeve lokale.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se, bazuar në raportet e pranuara nga qendrat operative rajonale dhe nga ekipet komunale, në disa lokacione janë identifikuar vërshime të intensitetit të ulët. Këto vërshime kanë prekur kryesisht zona të ulëta dhe rrugë ku sistemi i kanalizimit nuk ka arritur të përballojë sasinë e shpejtë të reshjeve.
Sipas AME-së, pasi është bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës në nivel vendi, rezulton se:
- Nuk ka raportime për dëme të mëdha.
- Situata konsiderohet e menaxhueshme.
- Ekipet aktuale janë në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme zonat e rrezikuara nga vërshimet.
AME thekson se është në koordinim të vazhdueshëm me:
- Qendrat operative rajonale 112
- Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit
- Strukturat komunale dhe ekipet emergjente
Qëllimi është reagimi i menjëhershëm ndaj çdo rasti që paraqet rrezik për qytetarët apo infrastrukturën.
Komunat dhe institucionet emergjente u kanë bërë thirrje qytetarëve që:
- Të kenë kujdes në lëvizje, sidomos në zona ku ka rrezik rrëshqitjeje apo grumbullimi uji.
- Të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në orët kur rreshjet janë më intensive.
- Të raportojnë menjëherë çdo problem në numrin emergjent 112.






