Organizata humanitare ndërkombëtare britanike Oxfam deklaroi se çdo 36 sekonda një person mund të vdesë nga uria në Afrikën Lindore deri në fund të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Oxfam, thuhet se situata humanitare në Kenia, Somali dhe Etiopi po përkeqësohet me shpejtësi dhe se Somalia përjeton thatësirën më të rëndë që nga viti 2011.
Në deklaratë thuhet se Afrika Lindore nuk ka pranuar reshje të mjaftueshme në të katër periudhat me shi dhe se sezoni i shirave pritet të jetë i keq në tre muajt e ardhshëm. Po ashtu theksohet se ndryshimet klimatike kanë shkatërruar një pjesë të madhe të të korrave dhe pronarët e bagëtive janë detyruar të braktisin stilin e tyre tradicional të jetesës.
– Ka nevojë për 3 miliardë dollarë më shumë
Në deklaratë thuhet se vdekjet nga uria janë shtuar në Somali, Kenia dhe Etiopi që nga maji dhe çdo 48 sekonda një person ka vdekur gjatë kësaj periudhe.
Duke tërhequr vëmendjen për rritjen e çmimeve të ushqimeve pas Luftës Rusi-Ukrainë, deklarata thekson se nëse situata aktuale vazhdon, ekziston mundësia që deri në fund të vitit një person të vdesë nga uria çdo 36 sekonda në rajon.
Oxfam njoftoi gjithashtu se nevojiten 3 miliardë dollarë shtesë për të ofruar ndihmë adekuate për ata që kanë nevojë në Sudanin e Jugut, Somali, Kenia dhe Etiopi.






