Êshtë raportuar rreth një dyshimi për dhunë ndaj një fëmije në institucionin parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë. Sipas raportimit të fundit, një edukatore ka përfunduar dje në Polici, pas denoncimit për dhunë të nënës së një fëmije.
Nëna e fëmijës 2-vjeçar ka raportuar në Polici se mësuesja e ka rrahur djalin e saj, të cilit i ka shkaktuar lëndime, raporton Gazeta Sinjali.
Në lidhje për këtë rast, Sinjali ka kontaktuar drejtoreshën e këtij institucioni, Mimoza Morina – Veseli.
Morina-Veseli tha se nuk qëndrojnë pretendimet e nënës së 2-vjeçarit pasi sipas dëshmisë së edukatores, nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
“Edukatorja e as nëna nuk e kanë vërejt se çka ka fëmija deri në momentin kur e ka marrë nëna nga kopshti. Fëmija ka dalë nga dera e hyrjes dhe e ka vërejt nëna që djali ka shenja në fytyrë, nëna është kthyer tek edukatorja dhe i ka thënë se dyshoj që i ke ushtru dhunë fizike sepse po dyshoj që janë shenja të gishtave.
Në fakt, kanë qenë shenja të gishtave por sipas matjeve në polici dhe të ekspertëve bashkë me ta kam qenë edhe është mbetë me policët hetues që ekspertiza ta jap fjalën e fundit. Por, sipas shenjave të para që janë, ajo është dora e fëmijës sepse përshtatet 100% me dorën e fëmijës. Sipas të gjitha gjasave nuk është e vërtetë për atë se çka nëna dyshon”, u shpreh ajo.