Kryeministri shqiptar Edi Rama ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se Shqipërisë mund t’i rikthehet regjimi i vizave.
“Të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza në Shqipëri, askush mos çuditet si e qysh përhapet thashethemet se BE-ja do të kthejë regjimin e vizave! “Non-grata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen dhe opozita e rublave sado të japë shpirt s’ka për të hequr dorë #RublaÇorba”, ka shkruar Rama në Twitter.
Ndryshe, rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm që po kalojnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka sjellë vendosjen në tavolinën e bisedimeve të propozimit për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.
Partia Demokratike ka deklaruar se Çekia kërkoi rikthimin e vizave me Shqipërinë e Serbinë, me pretendimin se po përdoren si porta hyrëse të emigrantëve të botës së tretë.
Siç raportojnë mediat shqiptare zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo tha se lëvizja pa viza është e një rëndësie të veçantë për shqiptarët dhe kjo kërkesë e Çekisë sipas saj është një motiv më shumë që shqiptarët të protestojnë.
Ndërsa, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emilio Çika tha se dokumenti i presidencës çeke të BE që ka propozuar rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë, është shqetësues.
Në një intervistë për Euronews Albania, Çika u shpreh se shkaqet që çuan në këtë propozim lidhen jo vetëm me të huajt që kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe emigrimi i popullatës së vetë këtyre vendeve, shqetësim që ngrihet nga e gjithë BE-ja.
Eksperti tha se lajmi për mundësinë e rikthimit të vizave për Shqipërinë është lajm i keq edhe për Kosovën.