“Nuk ka asgjë konkrete”.
“Është joserioze ta hedhësh nga dritarja propozimin franko-gjerman”.
“Gjithçka që vjen nga vendet evropiane duhet marrë seriozisht”.
Këto janë vetëm disa nga deklaratat e zyrtarëve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë në lidhje me të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, i cili do të duhej të hapte rrugë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Rreth një muaj më parë në opinion dolën informacione se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim se si të zgjidhet kontesti i kahershëm ndërmjet dy vendeve.
Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së.
Aktualisht synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve – gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë disa herë.
Në vitin 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh.
Cili është propozimi franko-gjerman?
Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të tyre, kanë konfirmuar se kanë njohuri për një propozim të tillë.
Vuçiq, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se Serbia nuk do të “poshtërohet më tej dhe nuk do të detyrohet ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por, duke mos reaguar, do të jepte sinjal të heshtur se pajtohet.
Siç tha ai, kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi gjithashtu se është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja.
Më 18 tetor, Vuçiq përsëriti se thelbi i propozimit të Gjermanisë dhe Francës është që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Për këtë, siç tha ai, Serbia do të kishte “hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike”.
Çfarë kanë thënë në Kosovë?
Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.