Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas publikimit të lajmit që qeveria britanike po harton një ligj për të rikthyer menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shkojnë në ishull.
Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.
Në një postim në Twitter Rama tha se “shënjestirmi i shqiptarëve (siç disa bënë turpshëm kur luftonin për Brexit) si shkakun e krimit në Britani dhe problemet në kufi, është retorikë e lehtë, por injoron një fakt me peshë të rëndë. Të përsëritësh të njëjtat gjëra dhe të presësh të njëjtin rezultat është çmenduri. Cit. Ajnshtajni”.
“70 për qind e 140 mijë shqiptarëve që janë transferuar në Mbretërinë e Bashkuar jetonin në Itali dhe Greqi. 1,200 prej tyre janë biznesmenë. Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar punojnë fort dhe paguajnë taksat. Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat kriminale të çdo lloj kombësie dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve si justifikim për politikat e dështuara”, shtoi kryeministri përmes një serie postimesh në Twitter, në gjuhën angleze.
“Shqipëria është një shtet i NATO-s dhe po negocion për t’u anëtarësuar në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania kishte problem të ngjashëm shtrëngoi sistemet e veta. Mbretëria e Bashkuar mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, jo të përgjigjet me retorikë krimi që përfundon me ndëshkimin e të pafajshmëve”, tha Rama