07/07/2025

Shkup, konferencë rajonale për luftën kundër korrupsionit

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë diskutuan në Shkup mbi sfidat e luftës kundër korrupsionit, një dukuri që shihet me shqetësim në vendet të cilat synojnë integrimin evropian. Disa prej diplomatëve perëndimorë kërkuan rezultate konkrete dhe jo vetëm fjalë boshe lidhur me çështjen e korrupsionit. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë për detyrë rritjen e angazhimit në luftimin e korrupsionit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në vendet e tyre, si kushte për të përparuar drejt integrimit evropian.

Konferenca e organizuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Nisma Rajonale kundër Korruposionit (RAI) dhe zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimeve ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal të autoriteteve ligjore dhe organeve e agjencive të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit mbi veprimet e mëtejme.

Zëvendës-kryeministrja për Politika të Mira në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Sllavica Gerkovska, foli mbi nevojën e kthimit të vlerave, ndërtimit të institucioneve që mund të luftojnë korrupsionin dhe të një sistemi në të cilin qytetarët do të kenë besim:

“Mendoj se tani të gjithë duhet të japin provimin e pjekurisë politike. Ata të cilët do ta kalojnë – do të mbijetojnë; Të tjerët të cilët do të kërkojnë që gjendja të mbetet status quo – do të ndëshkohen nga vetë qytetarët”, u shpreh Gërkovska.

Zëvendës-ambasadori amerikan në Shkup, Eric Meyer theksoi se korrupsioni, shpërlarja e parave, krimet financiare dhe praktikat e tjera korruptive paraqesin dhe shkaktojnë rreziqe ndaj sigurisë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë shuma të mëdha parashë për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve në rajon për të luftuar korrupsionin dhe këtë fakt e përsëriti në konferencën e së mërkures, zoti Meyer. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin përpjekjet për luftimin e kësaj dukurie, por për të pasur sukses, secili vend duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të ketë vullnet politik nga drejtuesit e tyre; Të ketë një gjyqësor të pavarur nga ndikimi politik dhe i jashtëm, tha ai, duke u shprehur se “Shtetet e Bashkuara po dëgjojnë”.

“Ne presim rezultate; dhjetëra milionë dollarë i kemi investuar në sektorin e drejtësisë penale vetëm në Maqedoninë e Veriut. Po ndjekim nga afër zotimet e dhëna dhe aq më tepër përmbushjen e këtyre zotimeve”, tha zëvendës-ambasadori Meyer.

Ndërkohë, ambasadori i Delegacionit Evropian në Shkup, David Geere, tha se është koha për veprime dhe se fjalët dhe deklaratat për qëllime të mira nuk mjaftojnë. Ai tha se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë përparim në ato që shihen si bazë e bisedimeve me BE-në, e që përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Ambasadori nënvizoi faktin dëshpërues për largimin e të rinjve nga vendet e rajonit, ndërsa tha se “sondazhet dëshmojnë efekte brejtëse të korrupsionit ndaj mundësive të shkollimit dhe të punësimit, si një faktor kyç që nxit largimin e tyre”.

Ambasadori Geer la të kuptohet se korrupsioni ka një ndikim të madh në vetë vendet e bllokut dhe se kostoja e korrupsionit ndaj ekonomisë së Bashkimit Evropian është 120 miliardë euro në vit.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...