Mbiprodhimi i vajit të ullirit në vitin 2022 parashikohet të kthehet në bumerang për Shqipërinë. Fabrikat kanë ulur kapacitetin grumbullues, pasi vaji i ullirit tregtohet më tepër në informalitet me çmim të ulët.
Eksportet vijojnë të mbeten në sasi të ulëta, nga luhatshmëritë drastike të prodhimit nga viti në vit dhe pamundësia e kompanive për të paguar garancitë që kërkojnë tregjet e mëdha. Mungesa e tregut rrezikon që fermeri të braktisë rritjen e ullinjve. Zgjidhja te investime në kapacitetet ruajtëse, raporton Monitor.
Mbiprodhimi ka krijuar kaos në tregun e shitjes së vajit të ullirit. Drejtues të fabrikave përpunuese pohojnë se, nëse prodhimi i vajit është deri 40% më i lartë se viti paraardhës, rrezikon të kthehet në bumerang, pasi mungon tregu i brendshëm për shitje, ndërsa eksportet vijojnë të jenë në sasi të ulëta.
Në tregun e brendshëm, informaliteti vijon të mbetet i lartë për sektorin prodhues të vajit të ullirit. Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar. Burime nga përpunuesit e vajit të ullirit thanë se 95% e produktit shitet në informalitet, vetëm 5% e tij shitet në supermarkete.
Dëmtimi i konkurrencës nga informaliteti i lartë, si dhe kostot e larta administrative, duke përfshirë ambalazhimin dhe taksat, e ka kthyer produktin e formalizuar të paleverdishëm nga çmimi.
Ylli Hajdini, administratori i kompanisë “S.E.D – Borshi”, një ndër prodhuesit e mëdhenj të vajit të ullirit, pohon se deri tani nga ullinjtë që u ka blerë fermerëve shqiptarë disponon në depozita 150 deri në 160 tonë vaj ulliri.
Edhe pse zotëron kapacitet për rritjen e përpunimit, z. Hajdini nënvizon se nuk mund të blejë më tepër sasi, pasi tregu është i mbingopur nga vaji i fermerit, ndërsa shitjet në supermarkete të vajit të ambalazhuar shqiptar janë në minimum. Situata është krijuar nga çmimi.






