E nderuara ministre për Arsim, Shkencë, Teknologji e Inovacion, zonja Arbërie Nagavci,
I nderuari dekan i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, dr. Islam Hasani,
I nderuari dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, dr. Shaban Sylejmani me bashkëpunëtorë,
Të nderuar ju veteranë të arsimit tonë, profesor Qazim Qazimi, profesor Resul Rexhepi, profesor Ismail Ahmedi,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës,
Të nderuar pedagogë të Fakultetit të Studimeve Islame dhe ju të dashur studentë,
Motra e vëllezër,
Të nderuar të pranishëm!
“Thuaj: Si mund të jenë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë- të padituritë.” (Zumer, 9)
Ndihem për së tepërmi i nderuar që sot jam këtu para jush për të shënuar përvjetorin e 30-të të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, këtij institucioni të lartë për arsimimin dhe edukimin profesional e shkencor islam në vendin tonë, i cili ndonëse nisi rrugëtimin e tij në kohë e rrethana mjaft të vështira, arritjet dhe puna e tij rezultojnë të bereqetshme, të hairit e të suksesshme. Prandaj, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes e t’ju falënderoj që keni ndarë nga koha juaj e shtrenjtë dhe jeni sot me ne, për të shënuar këtë përvjetor kaq të rëndësishëm e domethënës për arsimin e lartë islam në Kosovës dhe jo vetëm.
Viti 1992 shënon një ndër vitet me të rëndësishme në historinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse në këtë vit zuri fill një ndër institucionet më të rëndësishme të saj dhe me të nisi të shkruhet një faqe e re e arsimit dhe e kulturës sonë islame.
Tri dekada më parë, Bashkësia Islame e Kosovës, me themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame, në të vërtetë kurorëzoi përpjekjen e sakrificën e shumë brezave për të pasur një institucion të arsimit të lartë, ku do të studioheshin e mësoheshin shkencat islame në gjuhën shqipe, gjithnjë si përmbushje e mësimeve të Kuranit fisnik për dijen e për arsimin, si një zbatim i urdhrit kuranor, ngase vetë fjala Kuran do të thotë “Lexim”, por edhe ajeti – urdhri i parë që Zoti zgjodhi për t’iu drejtuar njerëzimit mbarë është: “Ikre-Lexo”, ndaj falënderojmë Allahun, i Cili na e mundësoi që të mësojmë, të lexojmë, e përmes leximit e studimit ta njohim Allahun Krijues, ta besojmë Atë dhe tërë atë që ka zbritur në Kuran! Ta njohim veten tonë, ta lexojmë historinë tonë e të punojmë për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë, por edhe të botës mbarë.
Më lejoni të theksoj faktin se themelimi i Fakultetit të Studimeve Islame erdhi si nevojë e plotësimit të kërkesave për arsimim të lartë islam në vendin tonë por edhe më gjerë; themelimi i Fakultetit të Studimeve Islame ishte nevojë e kohës në mënyrë që të rinjtë tanë të vazhdojnë studimet e tyre në fushën e shkencave islame edhe në Kosovë.
Prandaj, në këtë përvjetor që po shënojmë sot, e gjej të udhës që në emër të institucioneve të BIK-ut, t’u shpreh mirënjohje të pafund gjithë atyre brezave para nesh që dhanë kontributin e tyre në fushën e gjatë të arsimit tonë islam e kombëtar dhe atyre që e bënë të mundur që të kemi Fakultetin e Studimeve Islame.
Natyrisht bukuria e një fakulteti janë studentët e tij, ata janë që i japin vlerë e kuptim atij, prandaj një mirënjohje edhe gjithë atyre studentëve të dashur që kanë bërë një zgjedhje të mirë e të qëlluar kur kanë vendosur për të studiuar në Fakultetin e Studimeve Islame, me qëllimin e vetëm për t’u pajisur me dije e arsim të lartë islam për t’i shërbyer fesë, popullit dhe atdheut. Fakulteti i Studimeve Islame ka mision të qartë, vizion e strategji, të cilat bazohen në vlerat e larta të arsimit islam, në Kuran e Hadith, duke inkorporuar në programet e veta edhe vlerat kombëtare e botërore që kanë të bëjnë me avancimin e vlerave arsimore, bazuar në programet gjithëpërfshirëse të teknologjisë moderne. Misioni i Fakultetit të Studimeve Islame është të ofrojë studime të cilësisë së lartë, të përgatisë teologë të aftë për t’u ballafaquar me probleme dhe sfida të përditshme me të cilat ballafaqohet populli ynë.
Fakulteti i Studimeve Islame është qendra kryesore e arsimit islam në Kosovë, ndaj në këtë përvjetor të 30-të të themelimit, një mirënjohje të madhe e meritojnë edhe të gjithë ish-profesorët, të cilët punuan me përkushtim për përgatitjen e kuadrit islam në Kosovë dhe Fakultetin e lanë në duar të sigurta e te njerëzit kompetentë, e sidomos iniciatorin e themelimit dhe dekanin e parë, Myftiun tonë të nderuar Dr. Rexhep Boja me të cilin pata fatin të bashkëpunoj dhe bashkëveproj një kohë të gjatë. Zoti e past mëshiruar!
Fakulteti i Studimeve Islame ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në përhapjen e mësimeve islame në Kosovë e më gjerë. Të diplomuarit e FSI-së po dëshmohen për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre kudo që ata gjendën dhe ngado që po shkojnë. Në Fakultetin e Studimeve Islame kanë ndjekur studimet dhe vazhdojnë t’i ndjekin edhe shumë studentë nga të gjitha trojet tona etnike, dhe kjo padyshim ka edhe domethënien e vetë dhe këtij institucioni ia shton vlerën.
Sot kur shënojmë 30-vjetorin e FSI-së, që dikur nisi dhe ishte si ide e mendim, tashmë FSI është realitet dhe ka nisur rrugëtimin e tij historik. Dhe jo vetëm kaq, por FSI, përveç studimeve themelore, tashmë organizon edhe studimet në nivelin master, gjë që flet më së miri për arritjet dhe sukseset e FSI-së dhe stafit të tij akademik, si dhe përmbush synimet dhe qëllimet e themeluesit të tij – të Bashkësisë Islame të Kosovës.
FSI, krahas sukseseve, gjatë këtyre 30 vjetëve ka kaluar edhe nëpër shumë sfida. Shpeshherë kemi përshtypjen se nuk kemi bërë mjaftueshëm në këtë drejtim, por se rezultatet e arritura na dëshmojnë të kundërtën e kësaj.
Prandaj kjo edhe na obligon edhe më shumë që ne si Kryesi e Bashkësisë Islame të Kosovës që të jemi edhe më të përkushtuar në ndihmën dhe përkrahjen tonë për Fakultetin e Studimeve Islame, në mënyrë që ai t’i ngrejë kapacitete e veta dhe të përmbush misionin e tij drejt mësimdhënies e mësimnxënies, të përmirësojë edhe më shumë cilësinë e studimeve dhe të kultivojë kreativitetin dhe vlerat e larta etike – morale.
Sot në këtë ditë të shënuar, një numër nga ju do të pajisen me diplomën e këtij Fakulteti. Dita e diplomimit është ditë e paharruar në jetën dhe karrierën e çdo individi që ka përfunduar arsimin e lartë. Mirëpo, për ju që sot do të merrni diplomat është ditë edhe më e veçantë, dhe s’ka se si të jetë më mirë, sepse kjo ceremoni e ndarjes së diplomave përkon me ditën e jubileut të 30-vjetorit të FSI-së. Uroj që këto diploma t’ju bëjnë krenarë juve ashtu siç ju e bëtë krenarë fakultetin ku studiuat, kurse dijet e fituara këtu t’i vëni në shërbim të vendit dhe popullit tuaj.
Pa dashur që të zgjatëm më shumë në këtë fjalë timen, duke falënderuar të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar në themelimin, rritën dhe zhvillimin e FSI-së, më lejoni që edhe njëherë të shpreh mbështetjen e pa rezervë të Kryesisë së BIK-ut dhe të të gjitha institucioneve të saj për Fakultetin, për stafin akademik, për studentët e FSI-së. Ne nuk do kursejmë asgjë, që të krijojmë kushte sa më të mira për fakultetin tonë. Fakultetin e themeluam në ditë e kohë të vështira, por sot kemi të gjitha kushtet e mundësit që të ecim me hapa të mëdhenj drejt së ardhmes.
Duke ju përshëndetur edhe një herë, ju uroj të gjitha të mirat, me shpresë e bindje që përvjetorët e tjerë të Fakultetit të na arrijnë me suksese edhe më të mëdha.
Edhe një herë urimet e përgëzimet më të mira, mbarësi e suksese!
Prishtinë, më 27 dhjetor 2022
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava
(https://www.facebook.com/birk2015)
https://www.youtube.com/watch?v=Yq54d0iOybs