Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij.
Kurti, thekson se qeveria e tij nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e bllokadave në veriun e vendit të vendosura muajin e kaluar nga grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi.
Kosova la pas një vit sfidues, çfarë prisni të jetë viti i ri për të?
Albin Kurti: Sigurisht që do të ketë sfida të cilat i trashëgojmë nga viti i kaluar, por në të njëjtën kohë mund të ketë edhe sfida të reja. Jemi në një kohë kur kontinenti evropian ndodhet në një luftë dhe në anën tjetër fqinji ynë verior është i lidhur më ngushtë se kurrë dhe më gjerë se kurrë pikërisht me Federatën Ruse, e cila kreu agresion ushtarak dhe invazion në Ukrainë. Në anën tjetër, brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës. Buxheti i vitit 2023 është më i madhi në historinë e Kosovës, 3.2 miliardë që është 17 për qind më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe rritja ekonomike është 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni, këtë rritje nuk e kemi ndaluar për shtetin por e kemi shpërndarë në shoqëri. Pakoja e ringjalljes ekonomike ishte diku përafërsisht 4 për qind të bruto produktit vendor në 2021-shin, e në vitin 2022 kësaj pakoje ia shtuam edhe pakon për përballje me inflacion gjithsej rreth 5 për qind të bruto produktit vendor. Kemi pasur edhe universitetin për herë të parë falas për të gjithë studentët, pra pa asnjë pagesë përveç atyre që bëjnë doktoraturë, edhe bachelor edhe master është falas në universitetin publik. Në të njëjtën kohë kemi vazhduar me ndihmën, me mbështetjen për lehonat dhe për fëmijët, tashmë për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, pra nën moshën 16 vjeçare do t’i marrin shtesat për fëmijë dhe diku rreth 30 mijë lehona apo nëna të reja marrin po ashtu mbështetjen financiare nga qeveria, gjithsej janë rreth 260 mijë përfitues. Edhe në aspektin e energjisë këtë vitin që shkoi kemi pasur një sukses shumë të madh me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, grant prej 202 milionë dollarëve – programi kompakt dhe gjithashtu 105 megavat me parkun e erës në Selac dhe 70 megavat me parkun solar për ngrohje. Eficienca e energjisë është duke u ngritur, me ç’rast kemi subvencionuar familjet të cilat kanë përdorur pajisje të cilat kursejnë energjinë elektrike, në nëntor të vitit që shkoi 15 për qind më pak kanë shpenzuar amvisëritë sesa një vit më herët. Andaj në shumë aspekte jemi më mirë dhe besoj që do të vazhdojnë sukseset edhe në vitin 2023, por vështirësi padyshim që do të ketë.
Vështirësitë vijnë në një mënyrë të trashëguara nga viti që e lamë pas e tensionet që përshkuan gjysmën e dytë të vitit 2022 sikur kulmuan në veriun e Kosovës në muajin dhjetor. Ato u zbutën, të paktën përkohësisht, me heqjen e bllokadave. Si u bë e mundur një gjë e tillë, çfarë ofruat në shkëmbim të heqjes së tyre?
Albin Kurti: Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr.