Një autobus që shkonte nga Peja për në Dortmund të Gjermanisë mbrëmjen e 7 janarit është gjuajtur me gurë në Serbi. Përveç dëmtimit të xhamit të autobusit, asnjë nga pasagjerët nuk është lënduar.
Pasagjerët në autobusin që po transportonte afërsisht 50 mërgimtarë kosovarë për në Gjermani, u shprehën se ishin me fat që shpëtuan.
Për shkak të ngjarjes, ata kanë dhënë deklaratë në policinë serbe, e më pas e kanë vazhduar rrugën.
Kurse nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se kanë pranuar një raport nga zyra ndërlidhëse në Beograd, lidhur me këtë rast. Sipas tyre, i njëjti është dhe duke analizuar.
”Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Nga kjo zyre kemi pranuar edhe një raport në lidhje me rastin në fjalë, raport ky që është duke u analizuar”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu për Klanin.






