I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se bashkë me katër diplomatë të tjerë ndërkombëtarë sot kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajçak ka thënë se pas takimeve të sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, planifikon që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.
“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italiës dhe atë amerikan Escobari, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre bazuar në Propozimin tone”, ka shkruar Laçak në Twitter, tramsneton Telegrafi.
“Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha Marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti”, ka shkruar ai.
Ndërsa, pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak.
Lajçak tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takime.