Ambasada amerikane në Prishtinë, të martën më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ambasada ka theksuar se në këtë takim kanë ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi.
Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”
Lidhur me thirrjen e këtij takimi nga Ambasada amerikane, njohësi i proceseve politike, Emir Abrashi ka thënë për Telegrafin se kjo është vazhdimësi e kërkesave që partnerët e Kosovës i kanë bërë për themelimin e Asociacionit si parakusht për zhbllokimin e ngërçit në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, vazhdimin e dialogut dhe përmbylljen e këtij procesi siç është paralajmëruar në fillim të këtij viti.
“Nuk duhet harruar që Republika e Kosovës ka marrë obligim themelimin e Asociacionit fillimisht në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja e parë për Asociacionin dhe më pas në 2015 pas rishikimit të marrëveshjes. Pra, Kosova duhet t’i përmbahet marrëveshjes dhe normalisht duhet evituar humbjen e mëtejshme të kohës në këtë drejtim”, ka thënë Abrashi.
Ai tutje ka shtuar se pret që në këtë takim të ketë propozime konkrete nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
“Në takimin e thirrur nga Ambasada amerikane, uroj të ketë propozime konkrete nga përfaqësuesit e qeverisë për themelimin e këtij entiteti, duke e respektuar marrëveshjen e vitit 2015, e cila e parasheh që nevojitet mendimi i Gjykatës Kushtetuese para aprovimit të statutit por edhe për amandamentimet e mëvonshme të atij statuti. Në këtë formë, Kosova do të evitonte formimin e një entiteti i cili kthehet në pushtet të tretë, me kompetenca ekzekutive e i cili cenon karakterin unitar të Republikës”, tha Abrashi për Telegrafin.
Abrashi theksoi se megjithatë, Kosova mund ta kushtëzoj formimin e këtij entiteti me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve nga të dyja palët (Kosova dhe Serbia) si dhe me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë, Kosova duhet të tregojë vullnet për formimin e këtij entiteti dhe në takimin e thirrur nga Ambasada amerikane, të shkojë me propozime konkrete”, u shpreh ai.
Njohësi i çështjeve politike, Emir Abrashi tutje bëri të ditur se zgjatja e mëtejme e kësaj çështjeje do të sjellë vetëm momentume më të pafavorshme për Kosovën si dhe rritje të trysnisë ndërkombëtare.
“Nëse Asociacioni do të formohej me kohë, e duke iu përmbajtur marrëveshjes së vitit 2015, të cilën e ka pranuar edhe pala serbe, nuk do të arrinim në një pikë kur do të diskutohej autonomia për veriun. Pra, humbja e momentumeve ka kosto të madhe, ndërsa zgjatja e mëtejme e dialogut i konvenon vetëm Serbisë e assesi Kosovës”, tha ai.