Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar propozimin për zgjedhjen e Rilind Gervallës drejtor të kanalit në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.
Rilind Gervalla ka qenë donator i Lëvizjes Vetëvendosje sipas raportit vjetor financiar të vitit 2020, ndërsa i njëjti është parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj e ka arsyetuar propozimin e Rilind Gervallës për këtë pozitë para bordit.
Për ‘lidhjet’ e Gërvallës me LVV-në, dhe raportimet në media për të, Ahmetxhekaj tha se kanë kërkuar sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje nëse ai ka qenë pjesë e strukturave apo forumeve drejtuese në tri vitet e fundit.
Ai tha se një arsye shtesë për të kërkuar sqarime ka qenë edhe mundësia e manipulimit të fotografive.
Ahmetxhekaj sqaroi se LVV ka thënë se Gërvalla në periudhën e cekur nga RTK nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.
Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.
“…unë kam kërkuar nga administrata që të dërgoj kërkesë në Lëvizjen Vetëvendosje për të verifikuar nëse Rilindi ka qenë anëtar i organeve apo forumeve drejtuese të LVV-së në tri vitet e fundit. Dhe përgjigja e LVV-së ka qenë se i njëjti (personi i apostrofuar) nuk ka qenë pjesë e LVV-së në struktura për periudhën e cekur nga RTK…”- tha Ahmetxhekaj.