Një ligj i një rëndësie të veçantë për interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës ka kaluar në lexim të parë pa shumë zhurmë në shtator të vitit të kaluar në Kuvend.
Pavarësisht rëndësisë, debat prej tij nuk ishte ngjallur në Kuvend, pasi opozita nuk kishte qenë prezentë.
Bëhet fjalë për Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që i formuluar nga Qeveria e Kosovës, po synon të dalë nga ombrella e Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë.
Në kuadër të tij parashihet edhe themelimi i një Agjencie për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
AMIK siç do të njihet në shkurtesë kjo agjenci, drejtori i secilës do t’i raportoj drejtpërdrejt kryeministrit.
Një gjë të tillë po e kundërshton fuqishëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Hisen Berisha që është edhe pjesë e Komisionit për Siguri po e konsideron kapje edhe të një mekanizmi nga ekzekutivi për çka thotë se Kosovës po i instalohet komunizmi.
“Ka tendenca që në kuadër të tij ta kenë edhe segmentin që do të merret edhe me dhënien e certifikatave të sigurisë së pjesëtarëve apo përfaqësuesve publik të shtetit. Kjo është tendencë tipike komuniste, që e kanë pasur Partia e Punës së Shqipërisë, unë besoj se këtu do të reagoj edhe shoqëria civile, edhe institucionet e drejtësisë, deri te gjykata kushtetuese, por edhe mekanizmat ndërkombëtar”, ka thënë Berisha.
Ai këmbëngul që i njëjti mekanizëm duhet të vazhdoj të jetë kompetencë e AKI-së.
“Si ka logjikë, që një agjencinë që e certifikon sigurinë e personaliteteve të jetë brenda zyrës së kryeministrit, brenda qeverisë. Kush do ta certifikojë së pari këtë kryeministër”, ka thënë Berisha.






