Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Planin evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Saktësisht, të dy liderët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ranë dakord se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme mbi Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili potencialisht mund të hapë rrugën për zgjidhjen e problemeve.
E lidhur me takimin e 27 shkurtit, i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në një intervistë për Atlantic Council ka dhënë detaje.
“Ishte një takim i mirë…diskutimi mes dy liderëve ishte shumë i hapur, i sinqertë, emocional ndonjëherë, por shumë i respektueshëm…shumë interesant për ta ndjekur…”, tha Lajçak, transmeton Telegrafi.
Ai bëri të ditur se palët nuk janë pajtuar për shumë çështje, megjithatë diskutimi ishte i mirë.
“Më i rëndësishme ishte se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme mbi Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve…”, tha Lajçak, duke shtuar se tashmë teksti/propozimi evropian është zyrtarisht i mbyllur dhe fokusi është në aneksin për zbatimin e Propozimit.
“Diskutimet nuk ishin të lehta dhe nevojitet shumë punë për tu bërë…”, tha ai.
I dërguari i BE-së foli edhe për gatishmërinë e Kurtit për ta nënshkruar Propozimin.






