Ndonëse kampionati i Kosovës në futboll është ende në fillim, performancat e skuadrave deri tani kanë bërë që të krijohet një pasqyrim fillestar rreth asaj se kush mund të luftojë për titullin kampion në Superligë.
Me vetëm një humbje dhe katër fitore, Drita është skuadra më rezultative deri tani, pasi ka 12 pikë, vetëm dy më pak se vendi i parë ku gjendet Malisheva, kurse dy ndeshje ende nuk i ka zhvilluar, raporton Klankosova.tv.
Kampioni aktual ka regjistruar dy humbje në shtatë ndeshje, duke shfaqur një lloj “plogështie” karshi skuadrave pretendente. Ballkani është mposhtur nga Malisheva dhe Drita, kurse xhiron e ardhshme do të luaj sërish ndeshje të fortë, atë ndaj Llapit në Podujevë.
13 pikë sa kanë “Xhebrailat” aq kanë edhe “Legjendat” që poashtu nuk kanë bindur aq në këtë fillim sezoni. Me një ngritje cilësie në ndeshjet e fundit, Llapi ka humbur në “Zahir Pajaziti” nga Malisheva, kurse në udhëtim prej Prishtinës.
Malisheva që po udhëheq me renditjen tabelare, aktualisht është duke dominuar kampionatin, pasi pos humbjes nga Drita, ka fituar katër ndeshje shumë të forta, ndër to ndaj kampionit dhe nënkampionit aktual. Kjo e bënë shumë të qartë se pjesmarrja e parë dhe historike në kualifikimet evropiane, nuk ishte e rastësishme për “Tornadon”.
Vetëm një humbje e ka edhe befasia më e madhe pozitive deri tani e Albi Mall Superligës në futboll. FC Suhareka ka grumbulluar 13 pikë, duke fituar plot katër përballje dhe një pike të marr në barazimin ndaj Prishtinës. Pas vetëm një viti që nga themelimi, kjo skuadër po lufton për zonën evropiane me emrat më të mëdhenj të futbollit kosovar.
Klubi më i trofeshëm në Kosovë ndonëse nuk është shumë larg kreut, duket se nuk po del dot nga “ngërçi” ku gjendet tash e gati katër vjet. Prishtina krahas tri fitoreve dhe një barazimi, ka dështuar ta mund Ballkanin sërish, gjë të cilën nuk e ka bërë që nga prilli i vitit 2021, kurse u mposht së fundmi edhe nga Gjilani.
Por pavarësisht triumfit ndaj kryeqytetasëve, “Skifterat” nuk kanë bindur, anise janë përforcuar goxha gjatë afatit kalimtar të verës. Gjilani nga shtatë përballje, mori vetëm 8 pikë.
Nga 5 humbje kanë regjistruar Dukagjini dhe Ferizaj. Klinasit fituan dy ndeshje, kurse ferizajasit vetëm një dhe një barazim.
Më së keqi e sheh vetën pas shtatë javëve futbollistike, Feronikeli’74. Skuadra nga Drenasi ka regjistruar plot gjashtë humbje dhe ka marrë vetëm një barazim, duke vënë seriozisht kandidaturën për t’u larguar nga elita.
Nga ana tjetër, kandidatët për titullin e kampionit që konkurojnë njëri-tjetrin viteve të fundit, sërish gjenden aty, mbase me “Intelektualët” që tash për tash për një nuancë më konfidentë.