Ambasadori i Britanisë të Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë sot se është e qartë se Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, porse shtoi se me këtë nevojitet një zgjidhje për çështjen e Kodit Civil.
Gjatë takimit me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Abbott tha se është koha që deputetët të mendojnë për shoqërinë dhe të gjejnë një zgjidhje për zbatimin e Kodit Civil, pavarësisht bindjeve personale.
“Të drejtat e njeriut janë prioritet edhe për Britaninë e Madhe dhe janë pjesë e vlerave tona. E mirëpres prioritetin që ju i keni dhënë çështjes për dhunën në familje dhe siç kemi parë gjatë kohës së COVID-it, kemi pasur dhunë ndaj vajzave dhe grave por jo vetëm, ne për një kojë ishim duke iu ofruar ndihmë dhe mbështetje disa strehimoreve në Kosovë dhe kemi ndihmuar edhe në krijimin e një strehimoreje të re. Jam shumë i interesuar të dëgjoj me shumë për këtë se çfarë mendoni se ne mund te ofrojmë. Dua të flasim pak edhe për kodin civil dhe si mendoni që do të zgjidhet kjo gjatë muajve të ardhshëm”, tha ambasadori Abott.
Ndërsa kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se vazhdon të jetë kundër Kodit Civil duke shtuar se nuk është ende e gatshme të pranoj lirinë për komunitetin LGBTI.
“Brenda komisionit jemi të ndarë sa i përket Kodit Civil. Jemi komision për të drejtat e njeriut dhe jemi adresa e parë për të drejtat e njeriut. Jemi një shtet i vogël duhet të kuptoni dhe te gjithë deputetët, brenda dhe jashtë, kemi traditën tonë, kulturën tonë dhe mendoj qe ndoshta nuk jemi ende të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë. Unë isha kundër Kodit Civil edhe tani e kam ketë qëndrim. Është ligji shumë i rëndësishëm, është përmbajtësor, unë nuk jam ende e gatshme, unë jam duke folur në emrin tim personal jo të komisionit, nuk jam ende e gatshme për këtë liri, për këto gjëra të cilat unë nuk i kuptoj apo nuk i mbështes”, ka thënë Balje.