Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka dashur të japë një mesazh politik për Kosovën dhe Serbinë, me deklaratën e tij të djeshme të dhënë në Tiranë, sipas së cilës, të dy vendet duhet ta mbajnë fjalën e dhënë. Kështu ka deklaruar ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në intervistë për televizionin publik.
Ai tha se nuk ka vendim për pezullim të vizave për Kosovën nga ana e Francës dhe se liberalizimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.
Ndër tjerash, në këtë intervistë ai flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, situatën e krijuar pas sulmit të 24 shtatorit e tema të tjera.
“Presidenti është pyetur në fund të një vizite bilaterale në Shqipëri gjatë së cilës marrëdhëniet në mes të Francës dhe Shqipërisë janë përforcuar. Pra, ka pasur një pyetje për situatën në Kosovë dhe ai ka dashur t’i vendos të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, para përgjegjësive. Duke filluar me Serbinë, duke e ftuar presidentin Vuçiq që ta dënojë fuqishëm sulmin e 24 shtatorit, vrasjen e policit Afrim Bujaku, dhe sulmin ne tërësi dhe duke kërkuar që të ndriçohet sulmi në tërësi dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ky ka qenë mesazhi i parë.
Mesazhi i dytë për Kosovën dhe Serbinë lidhur me nevojën për të organizuar zgjedhje të reja në veri për arsye që dihen dhe që nuk kam nevojë t’i rikujtoj. Zgjedhje me një pjesëmarrje të serbëve dhe me kthimin e serbëve në institucione. Mesazhi i tretë kishte të bënte me nevojën e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në fund të këtij mesazhi, të këtyre tre kërkesave të shprehura drejtuar njëkohësisht presidentit Vuçiq dhe autoriteteve të Kosovës, presidenti Macron ka rikujtuar se liberalizimi i vizave që tani është në fuqi në Serbinë dhe që do të jetë zbatohet nga data 1 janar 2024 në Kosovë është një inkurajim pozitiv, një gjest i mirëbesimit dhe se ky gjest nuk ka qenë reciprok dhe se është e domosdoshme që të dy palët të riangazhohen në dialog. Ky ka qenë një mesazh politik që t% dy palët shpresoj se do ta dëgjojnë.“, tha ai.