Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me arrestimit e Nenad Orlovic, të dyshuarin kryesor për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Postimi i plotë:
Bandat kriminale në veri të vendit tonë ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët tanë përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale.
Mbrëmë, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë. Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë.
Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë.