Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor që ushtronte detyrën në Njësinë Speciale Operative, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Arrestimi është bërë mbrëmë, si pjesë e një hetimi të përbashkët nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Në kuadër të hetimeve, është kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Vushtrri me autorizim të organeve të drejtësisë.
Gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova që mund të jenë të lidhura me rastin.
Inspektorati Policor, duke vepruar në përputhje me autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë përkohësisht zyrtarin e arrestuar.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa priten veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës.