Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar padi ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi
Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, pas dorëzimit të padisë tha se ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Gashi theksoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë, me rastin e miratimit të vendimit në fjalë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje”, tha ai.
Sipas tij, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore është jashtë kompetencave të një qeverie në detyrë.
“Sipas analizës ligjore të AVONET, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore përbën një akt me karakter administrativ dhe politik, i cili tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë. Për më tepër, theksohet se Kryeministri dhe disa ministra të kabinetit qeveritar tashmë janë në funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, çka përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ndalimit të ushtrimit të dy funksioneve publike njëkohësisht”, tha Gashi.
Ai shtoi se kërkesa e AVONET ka për qëllim garantimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Përmes kësaj padie, AVONET kërkon nga Gjykata që të anuloj vendimin e Qeverisë në detyrë si të paligjshëm dhe antikushtetues, si dhe të pezullojë efektet e tij deri në vendimin përfundimtar, duke garantuar respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe parimit të shtetit të së drejtës. Ky veprim i AVONET reflekton një të drejtë të ushtrimit të mjeteve juridike, me qëllim të mbrojtjes së rendit kushtetues, ndarjes së pushteteve dhe integritetit institucional, duke siguruar që proceset buxhetore të zhvillohen në përputhje me mandatet legjitime dhe parimet demokratike që përqafon Republika e Kosovës, përmes Kushtetutës dhe ligjeve të saj pozitive”, deklaron Gashi.






