Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.
Prej se është konfirmuar se përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.
Por, burimet diplomatike në BE thonë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qasjeje do të kenë BE-ja dhe strukturat e saj të reja – që do të dalin pas zgjedhjeve evropiane – ndaj këtij procesi”.
Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të bëhen këtë verë.
Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.