04/12/2024

Berisha: Përshëndes rezolutën e PE-së, ndërhyrjet e Ramës në punët e brendshme të Kosovës kanë ndihmuar padronin e tij Vuçiqin

- Advertisement -spot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka përshëndetur sot rezolutën e Parlamentit Evropian kushtuar Kosovës.
Në një dalje për mediat, Berisha është shprehur se rezoluta me qartësi të kristaltë dhe kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me grupin terrorist të armatosur, të stërvitur në territorin e saj, dhe të dërguar në Kosovë.

Më tej ai theksoi se ndërhyrjet flagrante të Kryeministrit Edi Rama në punët e brendshme të Kosovës janë një akt tmerrësisht negativ dhe me pasoja të rënda për situatën në rajon.

“Por ajo që unë dua të shpreh këtu dhe për të cilën PD do të angazhohet të punojë ngushtë me Parlamentin Evropian dhe asambletë e tjera parlamentare të institucioneve ndërkombëtare, do të jetë dënimi i qëndrimeve destabilizuese të Edi Ramës, në mbështetje të politikave destabilizuese të Aleksandër Vuçiqit dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës”, tha Berisha.
“Ndërhyrjet flagrante të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës janë një akt tmerrësisht negative dhe me pasoja të rënda për situatën në rajon”, shoti ai.

“Përpjekjet e tij, që kur ka ardhur në pushtet, për të diktuar për llogari të Sllobodan Millosheviqit të ri, apo Aleksandër Vuçiqit, se kush duhet të qeverisë në Kosovë, me qëllimin e vetëm zbatimin e planeve t përbashkëta të ndarjes së Kosovës, janë edhe këto një çështje jashtëzakonisht shqetësuese për PD-në, por kam bindjen se do jenë po kaq shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar”, sqaroi Berisha.

“Shqipëria nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Të gjitha ndërhyrjet e brendshme të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës, kanë ndihmuar direkt padronin e tij, sepse me këto ndërhyrje ai është përpjekur të çlirojë Vuçiqin, Slobodanin e ri, nga vlerësimet reale për të, dhe për ta paraqitur atë si një njeri të arsye dhe paqebërës, në një kohë kur ai është një serbomadh me çizme, siç ishte Sllobodani, dhe ka bashkautor në projektet e tij Edi Ramën, që në Kosovë e njohin si vëllaun e Vuçiqit”, shtoi Berisha.
“PD e ka shpallur atë si argat i Beogradit, kurse në komunitetin ndërkombëtar rëndom konsiderohet si Pashiqi i Tiranës. Ndaj në mbështetje të kësaj rezolute dhe në plotësim të saj, do të bëjmë çdo përpjekje që Edi Ramës t’i vihet nga komuniteti ndërkombëtar, kufiri te thana, të ndalohen ndërhyrjet e tij në punët e brendshme të Kosovës, pasi në mënyrë absolute jo vetëm nuk ndihmojnë marrëveshjen, por përkundrazi e vështirësojnë atë në shkallë maksimale”, tha më tej Berisha.

“Tani mund t’u them se ka nevojë për disa hetime ndërkombëtare për ngjarjet në veri të Kosovës, për implikimet direkte të Vuçiçit, por nuk përjashtohen aspak edhe implikime të tjera. Ndaj dhe e përshëndes këtë rezolutë, një rezolutë që është një kontribut real, mbi bazën e të cilës mund të ecet drejt finalizimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe normalizimit të marrëdhënieve, por duhet që Serbia duhet detyrimisht të japë llogari mbi bazën e kësaj rezolute dhe t’i përgjigjet pikë për pikë zbatimit të saj”, tha Berisha. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...