Biologu nga Universiteti i Prishtinës Halil Ibrahimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se është zbuluar një insekt i ri në Kosovë.
Postimi i plotë:
Potamophylax humoinsapiens është lloji i ri i radhës i botuar sot në revistën Biodiversity Data Journal, i gjetur në lumin Lepenc në Parkun Kombëtar Mali Sharr. Në bazë të analizave morfologjike dhe molekulare, lloji i ri i takon një grupi të llojeve të rralla endemike të Ballkanit dhe të rrezikuara nga veprimet e shumta të degradimit të mjedisit.
Tekstualisht emërtimi ‘humoinsapiens’ vjen nga dy fjalë latine: ‘humo’ që në shqip do të thotë ‘të mbulosh me dhe, të varrosësh’ dhe ‘insapiens’ që do të thotë ‘i pamatur, i pamençur’ dhe i referohet trajtimit të pamatur të habitateve ku është gjetur lloji i ri. Shpeshherë në mjedise të tilla kemi ‘lumenj të varrosur’ në tërësinë e tyre.
Mirëpo emërtimi ‘humoinsapiens’ që tingëllon si Homo insapiens (njeriu i pamençur) është më tepër sarkazmë me emrin shkencor të llojit njeri Homo sapiens (njeriu i urtë, njeriu i mençur). Me ‘njeriu i pamençur’ kemi dashtë me tërheqë vëmendjen në paurtësinë marramendëse të njeriut modern karshi trajtimit të mjedisit të dhënë në përkujdesje nga Zoti.
Biologu Halil Ibrahimi: Zbulohet një insekt në Kosovë, i vihet emri “njeriu i pamençur”
